Vitia: Pandemia është larg përfundimit, arma jonë e vetme është vaksinimi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë që pandemia është larg përfundimit dhe se e vetmja zgjidhje është vaksinimi.

Vitia në një konferencë për media, ka thënë që ekziston rreziku për shfaqjen e një vale të re të virusit, pasi sipas tij, varianti Delta po përhapet me shpejtësi.

“Pandemia është larg përfundimit dhe duhet ta kuptojmë se heziti met për t’u vaksinuar do ta përkeqësojnë situatën. Pas një periudhe të konsiderueshme kohore për një situatë të qetë epidemiologjike në vendin tonë dhe për fat të mirë edhe pa raste të vdekjeve nga COVID-19 të dhënat nga IKSHPK-ja na tregojnë që kemi një rritje të numrit të rasteve pozitive të COVID 19, krahas rritjes së numrit të testimeve, ditëve të fundit”.

“Dje nga 2443 testime të kryera nga IKSHPK-ja rezultoi se kemi pasë 72 raste pozitive me një shkalllë pozitiviteti prej 2.94 përqind në mostrat e testuara, 17 të shëruar dhe fatmirësisht edhe dje asnjë rast që ka përfunduar me vdekje. Megjithatë, ky numër do të reflektojë me rritjen e rasteve aktive të COVID- 19 dhe më këtë edhe me rritjen e shanseve që të kemi edhe më shumë raste ditëve në vijim”, shkruan Klankosova.tv.

Tutje Vitia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë që të vaksinohen dhe këtë ta bëjnë sa më shpejtë.

“Ne duhet të veprojmë dhe të përdorim ato mundësi dhe instrumente qe kemi në dispozicion për të parandaluar shpërndarjen e virusit. Sot kur vendi ynë ka vaksina kundër COVID 19 sot kur qytetarët kanë mundësi të zgjedhin vaksinën, nuk ka asnjë arsye për t’u mos vaksinuar. Pavarësisht të gjithave arma jonë vetme tani është vetëm vaksinimi”, u shpreh Vitia.