Vizita e delegacionit dhe diplomacisë së Shqipërisë në OEK

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, së bashku me përfaqësues të shoqatave të ndryshme sektoriale dhe kompanive anëtare në OEK, pritën në takim përfaqësues të lartë të qeverisë dhe diplomacisë së Shqipërisë.

Në këtë takim ishte prezent Zëvendësministri për Evropë dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Besart Kadia, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, si dhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Liza Gashi, të cilët diskutuan nga afër me përfaqësues të kompanive nga sektori privat në Kosovë.

Diskutimet e takimit ishin të përqendruara në sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e biznesit ndërmjet dy vendeve, duke adresuar kryesisht barrierat dhe çështjet që kanë të bëjnë me procesin e të bërit biznes me shtetin e Shqipërisë. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua rreth potencialeve për të forcuar lidhjet ekonomike dhe lehtësimin e këtyre barrierave.

Kjo vizitë ka shërbyer si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të njohjes së sfidave të përbashkëta për zhvillimin e një ambienti më të favorshëm biznesi në mes të dy vendeve.

Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e investimeve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës, duke vlerësuar çdo iniciativë për të forcuar lidhjet rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e biznesit.