Vrasja e 30 vjeçarit dhe plagosja e një tjetri – gjithçka që dihet deri tani për rastin tragjik në Kaçanik

Një 30 vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e lëndimeve të marra nga të shtënat me armë zjarri që kanë ndodhur të martën rreth orës 14:00 në magjistralen Ferizaj-Kaçanik.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, i cili ka bërë të ditur se në rast janë përfshirë dy persona.

30 vjeçari, H.Berisha që u vra të martën në Kaçanik jetonte jashtë vendit, derisa të premten kishte ardhur për pushime në Kosovë.

I plagosur ka mbetur edhe vëllai i tij, 32 vjeçari K.B.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, konkretisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se motivet e vrasjes së rëndë që ndodhi sot në Kaçanik nuk dihen ende, ndërsa të dyshuarit gjenden në arrati.

Sipas njoftimit për media, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërsa, personi tjetër i përfshirë në incident i cili ka mbetur i plagosur, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

“Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast gjenden në arrati, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa, personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në njoftimin për media.

Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.

Ndërsa, Policia e Kosovës ka konfirmuar se personi që ka ndërruar jetë është 30-vjeçari me inicialet H.B., ndërsa i plagosuri është 32-vjeçari me inicialet K.B.

“Në lidhje me këtë, policia rajonale e Ferizajt, përkatësisht Sektori Rajonal i Hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti. Policët hetues po grumbullojnë informacione në terren dhe janë në kërkim të të dyshuarve, të kësaj ngjarje. Për informacione shtesë , do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin për media.