Vuçiq: Nuk mund të hyjmë në BE pa i zgjidhur çështjet me Kosovën

residenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se shteti i tij nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet Bashkimit Evropian nëse nuk zgjidh çështjet e pazgjidhura me Kosovën.

“Ka perspektivë për zgjerim, por është e qartë se jo të gjithë anëtarët (e BE-së) kanë të njëjtin oreks”, tha Vuçiq për gazetarët pas samitit në Bërdo mes BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Pa i zgjidhur çështjet me Prishtinën, Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet BE-së”, tha ai, raporton Reuters.

Në Bërdo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Burime të afërta me takimin Kurti-Vuçiq konfirmuar për Radion Evropa e Lirë mbajtjen e këtij takimi. Ky takim u zhvillua në prezencë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Deri më tani, nuk ka detaje në lidhje me përmbajtjen e takimit.

Më herët gjatë të mërkurës, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu konfirmoi takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit.

​Ky takim u mbajt teksa në Bërdo të Sllovenisë u zhvillua samiti mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë të mërkurën se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategji për Bashkimin Evropian.

Ai ka përmendur luftën kundër korrupsionit, duke thënë se kjo temë kyçe është e rëndësishme për zbatim edhe brenda vetë vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, BE-ja ka ndarë një shumë të pashembullt të fondeve për ta ofruar këtë rajon me bllokun evropian përmes kryerjes së reformave të nevojshme.

Në një konferencë për media, pas mbajtjes së takimit mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ai ka thënë se blloku evropian është i gatshëm të ndërmjetësojë dallimet që janë rezultat i konflikteve të së kaluarës.

“Megjithatë, duhet marrë vendime politike për të arritur përparim”, ka deklaruar ai.

Ai më pas ka folur edhe për procesin e zgjerimit, duke thënë se ekziston një debat i vazhdueshëm në mes të vendeve anëtare të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj.

“Në këtë temë, është e qartë se ende duket arritur përparim, na duhet të vendosim së bashku se çfarë duam të bëjmë së bashku si BE, si duam të marrim vendime”, ka thënë Michel.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë më pas në konferencë për media se mesazhi i Komisionit Evropian është shumë i qartë.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës së njëjtë sikurse është Bashkimi Evropian. Ne ndajmë historinë e njëjtë, interesat e njëjta dhe jam e bindur edhe ndajmë edhe fatin e njëjtë. Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar ajo, duke thënë se do të punojë për të shtyrë përpara procesin e anëtarësimit të këtij rajoni në bllokun evropian.

Ajo ka thënë se gjatë vizitave që ka realizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor javën e kaluar, ka vërejtur padurimin e qytetarëve si pasojë e zgjatjes së procesit të anëtarësimit.

“Unë e kuptoj këtë”, ka thënë ajo, duke vënë theksin te nevoja e bërjes së reformave në këto vende, ndonëse, sipas saj, në disa fusha përparimi është i vërejtshëm.

Ajo ka përmendur në veçanti faktin e mosnisjes së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe ka thënë se gëzohet që të mërkurën është trajtuar kjo çështje me qëllim të sqarimit të procesit dhe të tejkalimit të dallimeve që ekzistojnë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila ka vënë veto.

Në prag të nisjes së samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë kaluar më shumë se tre vjet që Komisioni Evropian ka rekomenduar për të dytën herë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ka pasur padrejtësi të madhe dhe mungesë të drejtësisë ndaj qytetarëve të shtetit tonë, që kanë vuajtur shumë. Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Evropian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Evropë”, ka thënë ai në prag të nisjes së samitit që do të mbahet në Bërdo.

Sa u përket vendeve mosnjohëse, ai ka thënë se shpreson që ato vende shumë shpejt t’iu bashkohen vendeve tjera që e njohësinë shtetësinë e Kosovës.

Vendet anëtare që nuk kanë njohur shtetësinë e Kosovës janë: Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia.