Zelensky kërkon paqe “pa vonesë” në bisedime

Ukraina mund të deklarojë neutralitet, potencialisht të pranojë një kompromis për zonat e kontestuara në lindje të vendit dhe t’i ofrojë garanci sigurie Rusisë për të siguruar paqen “pa vonesë”, tha presidenti Volodymyr Zelensky, para një raundi tjetër të planifikuar bisedimesh me Rusinë.

Ai shtoi se vetëm një takim ballë për ballë me liderin rus mund t’i japë fund luftës.

Derisa la të kuptohet për lëshime të mundshme, Zelensky theksoi gjithashtu se prioriteti i Ukrainës është sigurimi i sovranitetit dhe “integritetit territorial” të saj, dhe parandalimi i Rusisë nga ndarja e vendit, diçka që Ukraina dhe Perëndimi thonë se tani mund të jetë qëllimi i Moskës.

“Garancitë e sigurisë dhe neutraliteti, statusi jobërthamor i shtetit tonë – ne jemi gati të shkojmë me këtë”, tha Zelensky në një intervistë me mediat e pavarura ruse.

Ky qëndrim mund të krijojë një momentum për rifillimin e bisedimeve të paralajmruara për të martën.

Rusia ka kërkuar prej kohësh që Ukraina të heqë çdo shpresë për t’u bashkuar me aleancën perëndimore të NATO-s, të cilën Moska e sheh si një kërcënim.