Zemaj paralajmëron rekrutim të stafit shëndetësor në luftimin e pandemisë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se në ditët e ardhshme do të ketë rekrutim të stafit shëndetësor në luftimin e pandemisë COVID-19.

“Klinika infektive pranë QKUK-së është duke punuar me kapacitetet të plota. Bashkë me ushtruesin e detyrës të drejtorit të SSHKUK-së, dr.Valbon Krasniqi dhe me drejtoreshën e Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj-Berisha por edhe me stafin menaxhues, biseduam si të ecim tutje, në mënyrë që rrjedha e pandemisë në ditët dhe muajt në vijim mos të na zë të pa përgatitur”, ka thënë ai. “Duke inkurajuar personelin shëndetësorë në përgjithësi por të Klinikës Infektive në veçanti dhe me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale, përveç stafit aktual ditëve në vijim një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësorë që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar”.

Tutje Zemaj ka konfirmuar se u janë vazhduar kontratat edhe 200 punëtorëve shëndetësorë dhe për tre muaj, po që përkrahja financiare për mantelbardhët do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.