Dietologia amerikane Violeta Morris ka treguar se një ndryshim i vogël në rutinën e saj të ushqimit e ka ndihmuar të shmangte rritjen e shpejtë të sheqerit në gjak dhe në humbjen e dhjamit të tepërt në bark, ka raportuar “Eat This Not That”.
Ajo ka shpjeguar pse vaktet e vogla janë të rëndësishme.
“Vaktet e vogla apo ‘snacks’ janë të rëndësishme sepse ndihmon të ruash nivele të qëndrueshme energjie gjatë ditës, pa u varur vetëm nga vaktet e mëdha. Mund të parandalojë rritjet e mëdha të sheqerit në gjak dhe të ulë urinë, duke shmangur ngrënien e tepërt më vonë”, ka thënë Morris.
Por sipas saj, shpesh bëhen gabime.
“Konsumimi i ‘snacks’ shkon keq kur është i paplanifikuar, shumë i shpeshtë ose i mbushur me karbohidrate të rafinuara dhe yndyra të ngopura. Këto ushqime çojnë në kalori të panevojshme dhe rritje të shpejtë të sheqerit, e cila pasohet nga rënia e sheqerit, duke shkaktuar uri, dëshira të forta dhe ndryshime humori”, ka thënë ajo.
Dietologia ka treguar se më parë konsumonte vetëm fruta, si banane ose shalqi, por kjo nuk ishte zgjidhja më e mirë.
“Ani pse frutat janë të pasura me vlera ushqyese, përmes monitorimit të glukozës, kam vërejtur se nivelet e sheqerit më rriteshin menjëherë kur i haja vetëm”, ka thënë Morris.
Si dietologe, ajo e mbështet ngrënien e frutave për antioksidantët dhe vitaminat, por rekomandon që ato të hahen pas një vakti ose të kombinohen me proteina apo yndyra të shëndetshme.
“Ky ndryshim më ndihmoi të shmang shtimin në peshë dhe të kontrolloj kilogramët e fundit që doja të humbisja”, ka thënë ajo.
Zgjidhja e saj ishte e thjeshtë, nuk i hoqi frutat, por i kombinoi me një grusht bajamesh ose arrash braziliane.
Kështu ajo ka thënë se merrte vitaminat dhe antioksidantët e frutave, bashkë me proteinat dhe yndyrat e shëndetshme të arrave. Ky kombinim e bëri vaktin më të balancuar dhe shmangu rritjen e shpejtë të sheqerit.
Rezultati ishte pozitiv pasi ajo pati më shumë kujdes ndaj vakteve.
“Duke synuar të paktën 10 gram proteina bashkë me fibra dhe yndyrna të shëndetshme, qëndrova e ngopur më gjatë dhe shmanga rritjet e shpejta të glukozës. Kjo kufizon rastet kur insulina lirohet gjatë ditës dhe ndihmon trupin të ulë sasinë e dhjamit në bark dhe peshën me kalimin e kohës”, ka thënë ajo.