Zgjedhjet e së dielës: Mbi 3 mijë policë, 80 prokurorë dhe 35 gjyqtarë të angazhuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në bashkëpunim me Institutin Demokracia për Zhvillim (D4D), organizuan sot konferencën e përbashkët me temën: “Bashkëpunimi ndërinstitucional për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”.

Pjesëmarrës nga gjashtë institucionet nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit, të përbërë nga KQZ, Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit, PZAP, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli i Pavarur i Mediave të Shkruara, informuan publikun për hapat dhe përgatitjet që i kanë ndërmarrë rreth mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, i cili do të mbahet këtë të diel.

Aty u tha se janë angazhuar të gjitha ekipet përgjegjëse për secilën fazë të këtij procesi zgjedhor për të parandaluar tentativat e prishjes së mbarëvajtjes dhe të mbrohet vota e lire e qytetarëve.

U bë e ditur se Policia e Kosovës ka angazhuar mbi tremijë zyrtarë policorë, Këshilli Gjyqësor 35 gjyqtarë kujdestarë, po ashtu janë emëruar edhe 80 prokurorë kujdestarë së bashku me stafin përgjegjës.

Kreshnik Radoniqi i KQZ-së e rikonfirmoi se kanë bërë kërkesë për pezullim të kufizimit të lëvizjes për të shtunën dhe të dielën, por që ende nuk kanë marr përgjigje.