Zjarri në IML dyshohet se u shkaktua nga një defekt në instalimin elektrik

Hetim preliminare kanë bërë të ditur se zjarri që kaploi Institutin e Mjekësisë Ligjore gjatë së martës dyshohet se ka ardhur pas një defekti në instalimin elektrik, ka thënë ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të IML-së, Ditor Haliti. Nuk janë djegur materiale të ndjeshme.

Haliti ka thënë për KOHËN se hetimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.

“Nga hetimet e para, siç më kanë njoftuar hetuesit, dyshohet se instalimi elektrik është shkaktari i zjarrit në IML. Hetimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim”, ka thënë ai.

Sipas burimeve të KOHËS, zjarri ka filluar të ndizet në zyrën e ish-drejtorit të IML-së, Arsim Gërxhaliu e më pas ka kaluar në zyre të tjera. Gjatë hetimeve preliminare është konstatuar se janë djegur vetëm gjëra personale të ish-drejtorit të IML-së.

Për këto, është njoftuar edhe prokurori i rastit.