Prokurori Joshua Hafetz në nisje të fjalës së tij shfaqi fragmente të bisedave të incizuara në Hagë, gjatë takimeve të Hashim Thaçit me vizitorët e tij, përfshirë disa nga të akuzuarit, ku ai pretendoi se është tentuar të ndikohej te dëshmitarët.
“ZPS do të tregojë se udhëzimet e Thaçit kishin një shënjestër: shënjestër ishin dëshmitarët specifikë, dëshmia e të cilëve, sipas Thaçit përbënte kërcënim”, tha ai duke shtuar se synimi ishte të shmangej ky kërcënim, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, motivi i Thaçit ishte se ai “nëse gjendet fajtor” në rastin për krime lufte, “do të dënohet me burgim të gjatë” dhe prandaj, sipas ZPS-së, ai përdori mënyra për të ndërhyrë në drejtësi.
“Provat do të tregojnë se sapo filloi çështja [për krime lufte] Thaçi u përqendrua në pengim të dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij. Thaçi kishte dy lloj dëshmitarësh. Të parët ishin personat e brendshëm të UÇK-së, që në mënyrë të veçantë i identifikoi Thaçi, që mendoi se ishin vendimtar në gjykimin ndaj tij, të cilët duhet të flisin për strukturën e UÇK-së dhe rolin drejtues të Thaçit. Lloji i dytë ishin dëshmitarët viktima që mund ta implikonin atë”, tha prokurori.
Hafetz pretendoi se akuzat ndaj Fadil Fazliut kanë të bëjnë me udhëzimet që ai mori dhe ia përcolli Rrustem Mustafës – Remit, se si dëshmonte në Hagë gjatë gjykimit të Thaçit.
Fazliu e kishte vizituar Thaçin në paraburgim në Korrik të vitit 2023. Sipas ZPS, me të kuptuar Thaçi se kur do të jepte dëshminë në Hagë Remi, si dëshmitar i ZPS, djali i Fazliut e kontaktoi Remin dhe më pas ai u takua me të akuzuarin.
“Tre ditë më vonë Fazliu shkoi e takoi Thaçin në Hagë dhe vizita u incizua”, tha prokurori.
Pesë ditë pasi ZPS njoftoi për dëshmitarin për 26 qershor, djali i Fazliut kontaktoi Remin që Fadil Fazliu të takohej në Kosovë. Tre ditë më vonë Fazliu shkoi e takoi Thaçin në Hagë dhe vizita u incizua në bazë të një urdhri gjyqësor.
“Gjatë vizitës ai foli për dëshminë e Remit dhe tha se dëshmia e tij ishte vendimtare dhe se ai do të vendoste precedentin e dëshmitarëve pasues që do ta ndiqnin atë, duke thënë atë që Thaçi i tha në hollësi se si do të duhej të ishte dëshmia e Mustafës, çfarë duhej të thoshte ai, në mënyrë që Remi të kthehej në Kosovë ‘ose si hero ose si njeri i turpëruar’. Thaçi i dha urdhër Fazliut që këto udhëzime t’ia jepte Mustafës para se ai të dëshmonte në Hagë”, tha prokurori duke shtuar se Fazliu u pajtua dhe madje kontribuoi se çfarë duhej të thoshte Mustafa.
Ndërkaq, Hajredin Kuçi, tha ai, foli me Thaçin për ndikim ndaj dy dëshmitarëve dhe një viktime.
Më 3 shtator 2023, në Hagë Thaçi dhe Kuçi diskutuan për tre dëshmitarë, pretendoi Prokuroria. Dy nga ta ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë Zyrapin dhe i treti ishte një person që do të dëshmonte për keqtrajtimin e pretenduar nga UÇK, tha ZPS.
Thaçi, tha ZPS, udhëzoi se si duhej të dëshmonin. ZPS tha se ka prova që mbështesin të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjatë seancës, prokurori tha se në vizitën në Hagë, Isni Kilaj kishte marrë udhëzime se si dëshmitari 4, të ndryshonte dëshminë.
Ky dëshmitar ishte viktimë, “që më parë e kishte implikuar Thaçin lidhur me keqtrajtimin që i kishin bërë anëtarë të UÇK-së”.
Kilaj, tha Prokuroria, mori shënime gjatë takimit në Hagë.
“Thaçi nënvizoi rreshtin dhe faqen e dëshmisë paraprake të dëshmitarit, saktësisht se çfarë duhej të ndryshonte ai”, pretendoi prokurori.
Gjatë dy vizitave në qendrën e paraburgimit në Hagë, Smakaj, tha Prokuroria, mori udhëzime nga Thaçi se si të ndikohej në dëshmitarë.
Një nga ta u tha se ishte Bislim Zyrapi. Prokurori tha se Thaçi dha detaje se si ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Zyrapi – dëshmitar i Prokurorisë – të dëshmonte.
“[Thaçi] Dha udhëzime si të jepte dëshmi, se duhej të ishte konciz, të mos i jepte shumë gojës”, tha ai, duke shtuar se Thaçi kishte dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarët e mbrojtur dhe duke pretenduar se ishte “tallur me dy prej tyre, dhe një nga ta ishte me aftësi të kufizuara”. /REL/