ZRRE nuk merr parasysh kërkesën e KESCO-s, shtrenjtimi i rrymës nisi aplikimin nga 9 shkurti

Kryetari i Bordit të Zyrës Rregullative të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, ka thënë se nuk kanë marrë parasysh kërkesën e KESCO-s për shtyrjen e vendimit me rritje të tarifave deri më 1 mars.

Fejzullahu në një konferencë për media pas mbledhjes së pestë të Bordit të ZRrE-së tha se është obligim i KESCO-s që të implementojë këtë vendim.

“Ne e kemi thënë edhe në mbledhje, por, e kemi thënë edhe në takimet që kemi pasur me ta që vendimi hyn në fuqi prej datës 9 shkurt. Është obligim i KESCO-s që ta impletojë atë vendim sipas vendimit të ZRrE-së”.

Tutje, Fejzullahu, tha se publikimi i vendimit do të ndodhë brenda 30 ditësh.

Fejzullahu ka përsëritur se rritje të tarifave nuk do të ketë për konsumatorët që shpenzojnë deri 800 kilovatë.

“Ne edhe në raport i kemi përgjigjet që meqenëse Qeveria ka ndarë një subvencion prej 100 milionë euro, ka ndikuar që të gjithë konsumatorët që konsumojnë deri në 800 kWh nuk do të kenë rritje apo do të faturohen me tarifat ekzistuese. Pra faturat e tyre do të kalkulohen duke përfshirë edhe zbritjen që ka rezultuar nga fondi apo subvencionimi i Qeverisë”, tha ai.

Në mbledhjen e pestë, ZRrE-ja mori vendim për zbritjen e tarifave të energjisë për Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës përreth 7 përqind.

Mes tjerash, Fejzullahu, tha se deri tani ka pasur pak ankesa, por, pas aplikimit të kësaj tarife padyshim që do të rritet numri i ankesave nga konsumatorët.