ZRRE obligon shërbimet e shpërndarjes t’i kompensojnë qytetarët që paguan për rrymën në veri

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e mbajtur të premten ka ndërmarr veprimet ligjore për zbatim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka të bëj me kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, për periudhën kohore nga 06 shkurt 2012 deri më  20 tetor 2017.

“Bordi i ZRRE sipas Aktgjykimit të Gjykatës ka vendosur që të obligojë Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të kompensojë vetëm konsumatorët të cilët vërtetohet se kanë qenë aktiv dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën nga data 06 shkurt 2012 deri më datën 20 tetor 2017. Këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse të kompensimit”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Sipas vendimit të Bordit të ZRRE-së, kompensimi i konsumatorëve thuhet se do të bëhet duke filluar nga data 01 qershor 2024 deri më 28 shkurt 2030.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në mars të këtij viti ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, me të cilin ishte vërtetuar edhe vendim i Apelit e ai i Themelores lidhur me faturimin e energjisë së shpenzuar në veri, në faturat e qytetarëve të tjerë.

Vendimet të cilat janë vërtetuar nga Kushtetuesja e obligojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës me 40 milionë e 885 mijë euro.