Zyra për Certifikim rekomandon që Kurtit dhe të tjerëve t’u lejohet kandidimi

Yll Buleshkaj drejtor i Zyrës për certifikim të partive politike i ka rekomanduar KQZ-së që lista e kandidatëve më deputetë nga subjektet politike të certifikohet ashtu si është për shkak qe Zyra nuk ka arritur të zbatojë plotësisht nenin 29 shkronja q.

“Zyra nuk ka mujt me verifiku për shkak të informatave të dyanshme që ka marrë”, ka thënë ai.

Sipas tij ka kandidatë që kanë probleme, por që zyra që udhëheqë ai nuk ka mundur t`i verifikojë.

Ndërsa Valdete Daka, ka thënë se nga ky rekomandim i Zyrës nuk e kanë të qartë se cilët kandidatë mund të certifikohen e cilët jo.

“Unë këtu e kam një rekomandim i cili nuk na shpjegon se a i përmbushin kandidatët kërkesat apo jo. Zyra është ajo që i pranon dokumentet i verifikon dhe bën rekomandim duke respektuar dispozitat e nenit 9. Unë kisha dashtë të na sillen dokumentet sepse nuk i kemi. Nuk e kemi të qartë cili i plotëson kushtet e cili jo”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Buleshkaj i është përgjigjur duke i thënë se për zyrën të gjithë i kanë plotësuar kushtet, por që te shkronja q nuk e kanë të qartë.

Ndaj rekomandimit të Buleshkajt ka reaguar edhe Sami Hamiti, anëtar i KQZ nga LDK.

Ky i fundit e ka akuzuar të parin se nuk e di se çka i ka ardhur nga Këshilli Gjyqësor.

“Ti nuk e ke të qartë dhe nuk po e dinë cka të ka ardhë nga Këshilli Gjyqësor. Ti ke dalë jashtë ligjit. Na sjell të gjitha dokumentet dhe pastaj e analizojmë”, ka deklaruar ai.

Buleshkaj i ka replikuar shkurt.

“Zyra për certifikim e ka një kompetencë të cilën e ushtron”, tha ai.