𝐊𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐮𝐞𝐬𝐣𝐚 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐨𝐧 𝐀𝐤𝐭𝐠𝐣𝐲𝐤𝐢𝐦𝐢𝐧: 𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐧ë𝐧𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫𝐢𝐭 𝐬𝐞𝐫𝐛, 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐤𝐮𝐬𝐡𝐭 𝐩ë𝐫 𝐤𝐨𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐊𝐮𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐭

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin e plotë lidhur me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Për të hyrë në fuqi Aktgjykimi, duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe pastaj nis rrjedhja e afati.

Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb dhe ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditësh.

“TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses mbi vendimin e marrë.

e42461bd-a4ef-4845-b9f7-2e6b86518586.pdf

Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

“TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, theksohet në njoftim.

Ndryshe, Kryeparlamentari Dimal Basha e kishte përmbyllur seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, kishte deklaruar Basha, në seancën e 30 gushtit.

Sipas tij, moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët apo njërit nga gjashtë anëtarët e Kryesisë nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.