Studentët marshojnë kundër vendimit të Speciales

Qindra studentë kanë dalë në marshin kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Studenti Donart Humolli, gjatë marshit të studentëve të Universitetit të Prishtinës kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se rinia e Kosovës nuk pranon atë që e konsideron gjykim të padrejtë ndaj atyre që, sipas tij, mundësuan lirinë e vendit.

Humolli ka deklaruar se nuk ka gjykatë apo vendim që do ta ndryshojë mënyrën se si rinia e Kosovës i sheh çlirimtarët, duke theksuar edhe rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë në çlirimin e Kosovës.

“E kuptojmë se jemi fatlumë që bëjmë pjesë ndër brezat e parë të këtij kombi që e shijoi lirinë, pa e përjetuar tmerrin e luftës. Por po ashtu, e kuptojmë qartë se kjo liri nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, tha ai. “Por nuk do të ishte e mundur as pa mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot, studentët dhe rinia e Kosovës qëndrojnë të bashkuar me besimin e patundur tek Perëndimi. Ashtu siç Perëndimi nuk e lejoi padrejtësinë në vitet ’98 dhe ’99, por u bë aleat i UÇK-së, për të sjellë lirinë, ashtu besojmë se do të mbetet aleat edhe sot, duke mos lejuar asnjë padrejtësi ndaj vetë aleatit të tij, luftëtarëve të UÇK-së”, tha ai.

Ai ka thënë se rinia e Kosovës sot jeton në një shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik, duke theksuar se përvoja e popullit të Kosovës me shtypjen dhe padrejtësinë, sipas tij, e bën të papranueshëm një trajtim të tillë ndaj të tjerëve.

I pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ai i ka quajtur protestat demokratike.