10 telefonat më të shitur në vitin 2022, tetë të Appleit

Counterpoint Research ka publikuar një listë të 10 telefonave më të shitur në vitin 2022, e cila dominohet bindshëm nga Apple. iPhone zuri tetë vende në atë listë, dhe dy të tjerat mbahen nga modelet më të lira të Samsung, Galaxy A13 dhe Galaxy A03.

iPhone 13 zuri vendin e parë me rreth pesë për qind të shitjeve totale të telefonave në mbarë botën dhe 28 për qind të shitjeve totale të iPhone. Për më tepër, Counterpoint Research thekson se telefoni ishte më i shituri në SHBA, Britaninë e Madhe, Kinë, Gjermani dhe Francë midis shtatorit 2021 dhe gushtit 2022.

Në vendin e dytë është iPhone 13 Pro Max me 2.8 për qind të totalit të shitjeve globale të telefonave, i ndjekur nga iPhone 14 Pro Max me 1.7 për qind.

“Shitjet e telefonave iPhone 14 Pro Max u kryesuan nga ata që ndërrojnë çdo model të iPhone. Përmirësimet e mëdha në serinë iPhone 14 Pro, si Dynamic Island dhe një procesor më i shpejtë, e bëjnë atë më tërheqës sepse modeli bazë është pothuajse identik me atë të një viti më parë”, shkruan Counterpoint Research.

Në vendin e katërt me 1.6 për qind ishte Galaxy A13, telefoni më i lirë i Samsungut, i cili është i popullarizuar në mesin e klientëve kryesisht për shkak të çmimit dhe disponueshmërisë së lehtë. Vendin e pestë e zuri iPhone 13 Pro, i ndjekur nga iPhone 12, iPhone 14, iPhone 14 Pro dhe iPhone SE 2022. Galaxy A03 mbyll listën e top 10 telefonave më të shitur.