32 trofe në 13 vite, si PSG u transformua në epokën “Al-Khelaifi”

Paris SG festoi këtë fundjavë titullin e 12-të në histori, teksa ky ishte titulli i tretë radhazi në Francë, duke vendosur kështu numra të rëndësishëm sa i përket rekordeve dhe historisë.

Luis Enrique festoi titullin e parë me Paris SG, teska parizienët festuan trofeun e 50-të në histori dhe “përqafuan” titullin e 10-të në epokën Nasser Al-Khelaifi.

Presidenti i klubit francez mori skuadrën në vitin 2011, kur PSG kishte vetëm dy tituj kampion në CV dhe në total 18 trofe, por sot shumë gjëra kanë ndryshuar dhe dhoma e trofeve është pasuruar, madje është afro tre-fishuar.

Në epokën e presidentit 50-vjeçar, PSG ka fituar dhjetë tituj kampion në Ligue 1, gjashtë Kupa France nga 14 në total, gjashtë Kupa Lige nga 9 në total dhe dhjetë Superkupa nga 12 në total.

32 trofe në 13 vite janë padiskutim një arritje, pa harruar transformimin total edhe sa i përket emrave, pasi në “Parc des Princes” kanë zbarkuar emra si Cavani, Ibrahimovic, Thiago Silva, Verrati, Messi, Neymar apo edhe Ramos, teksa ai që momentalisht konsiderohet simboli i kësaj skuadre është Kylian Mbappe.

Në këtë sezon 2023-2024, Paris SG është ende në lojë edhe për dy trofe të tjerë, kjo pasi parizienët janë në finalen e Kupës së Francës, aty ku do të luajnë ndaj Lyonit dhe në gjysmëfinalen e UEFA Champions League, raund në të cilin do të luajnë ndaj gjermanëve të Borussia Dortmund. /Supersport/