​36 pacientë me korronavirus po trajtohen në Klinikën Infektive, një në gjendje të rëndë

36 pacientë të konfirmuar me koronavirusi po trajtohen gjatë ditës së sotme në Klinikën Infektive. Gjashtë nga këta janë në oksigjeno-terapi, ndërsa një i cili është edhe në hemodializë është në gjendje më të rëndë.

Infektologu Nderim Hasani për KosovaPress, thotë se janë edhe katër të infektuar të tjerë të cilët janë në hemodializë.

“Aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 36 persona me Covid-19. Nga ta gjashtë pacientë janë në oksigjeno-terapi dhe gjendja e tyre është stabile. Një paciente është duke u trajtuar në Kujdesin Intensiv e cila është në modusin e ventilimit mekanik dhe ajo bën edhe seanca të hemodializës. Ndër ta, edhe katër të tjerë bëjnë seanca të hemodializës. Dhe gjendja 29 pacientëve paraqitet stabile”, thotë Hasani.

Hasani thotë se personat të cilët janë në gjendje më të rëndë janë të moshës së shtyrë.

“Kryesisht nga gjithë këta që janë në gjendje më të rënduar janë në moshë të shtyrë apo gjeneratë e tretë”, shton ai.

Gjatë ditës priten rezultate edhe për tre pacientë të tjerë.

“Në bazë të numrit të vijnë pacientët i marrim strishot, ajo çfarë mund të themi është se për tre nga këta jemi në pritje të rezultatit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për tu konfirmuar apo përjashtuar infeksioni”, thekson Hasani.

Ndër të tjera, ai thekson se brenda dy jave pritet që të bie dukshëm numri i personave të infektuar me koronavirus.

“Fatmirësisht ne duke parë rrjedhën e pacientëve mund të themi se kemi hyrë në një fazë ku presim rënie edhe të numrit të të paraqiturve por edhe të infektuarve dhe nëse më lejohet jo si prognozë por thjesht si analizë, ne presim që brenda dy javëve gjendja do të shkon drejt uljes, apo ajo lakorja do të ketë një rënie të dukshme”, shprehet Hasani.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 806 persona të infektuar me covid-19. Prej tyre 271 janë shëruar, ndërsa 22 pacientë me këtë virus kanë vdekur.