Moskonstituimi i institucioneve në Kosovë po rrezikon seriozisht zhvillimin ekonomik të komunave dhe njëherësh humbjen e dhjetëra milionë eurove nga fondet ndërkombëtare.
Kështu paralajmëroi në një intervistë për Ekonomia Online drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.
Ai tha se moskonstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës ka pasoja të drejtpërdrejta për komunat, si në aspektin financiar, ashtu edhe legjislativ.
“Edhe te komunat mosfunksionalizimi i institucioneve qendrore do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë.
Së pari në aspektin financiar, ku marrë parasysh që BE-ja i ka paraparë disa qindra miliona euro për Planin e Rritjes, ku nëse Kosova nuk e konstituon Parlamentin, atëherë këto mjete financiare mund të mos merren.
Shumica absolute të atyre mjeteve janë të dedikuara për komunat e Kosovës. Janë të parapara investime në infrastrukturë lokale, në digjitalizim, në ngritje të kapaciteteve e të tjera. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në komunat e Kosovës”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
Ibrahimi shtoi se investimet e parapara në infrastrukturë lokale, digjitalizim dhe ngritje të kapaciteteve janë në pikëpyetje, ndërkohë që mungesa e institucioneve pengon edhe miratimin e ligjeve kyçe për funksionimin komunal.
Në këtë situatë, tri komuna, Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku, sipas tij, pasi nuk kanë arritur të aprovojnë me kohë buxhetet e tyre, tani si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, janë të detyruara që edhe këtë vit të mbështeten në buxhetin e vitit paraprak dhe të mos zbatojnë projekte të reja.