Sunny Hill Festival

Kuvendi vazhdon bllokadën, dështon konstituimi për herë të 40-të

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet, duke shënuar kështu dështimin e 40-të me radhë në përpjekjen për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të hapur rrugën drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

As kësaj radhe nuk pati kuorum të mjaftueshëm për formimin e Komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga 100 deputetë të pranishëm vetëm 51  prej tyre votuan pro, abstenim dhe kundër nuk pati pasi që pjesa tjetër nuk morën fare pjesë në votim.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista Serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA sërish nuk propozuan emrat për anëtarë të këtij komisioni. Si rrjedhojë seanca dështoi për të vazhduar të enjten në orën 11:00.

Ky dështim i radhës ka shtuar pakënaqësinë publike dhe politike, pasi vendi ka hyrë në muajin e pestë pa institucione funksionale.

Përfaqësues të partive politike fajësojnë njëri-tjetrin për bllokadën.

Para fillimit të seancës deputeti i LDK-së, Armend Zemaj deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk e njeh Kushtetutën e Kosovës dhe tha se s’i respekton vendimet e këtij institucioni.

Kurse deputeti i  PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se partia fituese ka treguar joseriozitet për konstituim të Kuvendit. Sipas tij, mungesa kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në Kuvend tregon se ai do të bëjë gjithçka, do të shkelë çdo ligj, vetëm që të mbajë pushtetin.

Dimal Basha nga LVV,  i ka akuzuar partitë e tjera se po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit.

Ai para fillimit të seancës tha se votimi i fshehtë po tentohet të shfrytëzohet pasi votimi i hapur s’ka qenë i suksesshëm. Sipas Bashës, Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj ka thënë se mund të përdoret cilido votim.

Kurse shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Time Kadrijaj u shpreh se Kurti  paradite po sillet si deputet, e pasdite si kryeministër.

Ajo ka thënë se vendimet që po i merr janë antiligjore pasi ai është në detyrë.