Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë gjetur trupin e 33-vjeçarit që u mbyt të dielën në Liqenin e Ujmanit, raporton Ekonomia Online.
Viktima kishte kërcyer nga ura në Liqenin e Ujmanit të dielën dhe s’kishe dalë më nga uji.
Trupi i pajetë u lokalizua pas dy ditësh kërkimi intensiv nga njësitë e FSK-së dhe ekipet e specializuara të zhytësve.
Të martën, me autorizim të KFOR-it, ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së dolën në terren dhe pas disa orësh kërkim, gjetën trupin e pajetë.
“Falë intesitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit. Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftimin e FSK-së.