Ndonëse Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar plotësisht, Lëvizja Vetëvendosje po përgatitet për hapat e radhës drejt formimit të Qeverisë.
Telegrafi mëson nga burime brenda LVV-së se të dielën do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti, në të cilën pritet të votohet Albin Kurti si mandatar për kryeministër.
Pas përfundimit të votimit nga Këshilli, emri i Kurtit do t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila më pas pritet të ndërmarrë veprimet sipas procedurës kushtetuese për mandatarin e Qeverisë.
Ky zhvillim sinjalizon përshpejtim të përpjekjeve të LVV-së për formimin e Qeverisë, pavarësisht se procesi i konstituimit të Kuvendit është zvarritur për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Sipas Kushtetutës së Kosovës nenit 95 paragrafi i 2, thuhet se kandidati për kryeministër,jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në paragrafin 4 të këtij neni thuhet tutje se nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. /Telegrafi/
