Sunny Hill Festival

Çfarë mund t’i ndodhë trupit nëse hani çdo ditë vetëm një “hot dog”?

Studimi i ri që është botuar në revistën Nature medicine, ka mbledhur rezultatet e dhjetëra studimeve për të parë nëse konsumimi i sasive të vogla, të përditshme, të mishrave të përpunuar, pijeve me sheqer dhe yndyrave të pashëndetshme ndikojnë në shëndet, ka raportuar Earth.

Rezultatet treguan se edhe konsumimi i vogël i përditshëm lidhet me rritje të rrezikut për diabet të tipit 2, kancer të zorrës së trashë dhe sëmundje të zemrës. Ani pse rritjet nuk ishin të mëdha, ato ishin të qëndrueshme dhe shfaqeshin edhe me një “hot dog” ose një kënaçe pije të gazuar në ditë.

“Konsumimi i shpeshtë, sado e vogël të jetë sasia e mishit të shumëpërpunuar, pijeve me sheqer si dhe yndyrave të pashëndetshme, ka lidhje me rritjen e rrezikut për zhvillim të diabetit të tipit 2, sëmundje të zemrës si dhe kancer të zorrës së trashë”, ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Demewoz Haile nga Instituti për Matjen e Shëndetit dhe Vlerësimin në Universitetin e Uashingtonit, Seattle.

Mishi i përpunuar dhe zakonet e përditshme

Ekspertët theksuan se zakonet e vogla të përsëritura çdo ditë grumbullohen me kalimin e kohës. Studimi tregoi se sa më shumë të konsumohet, aq më i lartë bëhet rreziku.

Një tjetër shkencëtar i ushqyerjes ka sugjeruar që njerëzit të fokusohen në kufizimin e këtyre ushqimeve në afat të gjatë, pa synuar perfeksionin absolut.

“Mënyra më e mirë për të përmirësuar shëndetin është shmangia ose ulja sa më shumë e konsumimit të mishrave të përpunuar, pijeve me sheqer dhe yndyrave trans”, thuhet në raport.

Çfarë quhet mish i përpunuar?

Në këtë kategori futen salsiçet, sallamet e proshutat dhe të gjitha produktet e ruajtura me kripë, tymosje apo konservues kimikë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e klasifikon mishin e përpunuar si kancerogjen për njerëzit, veçanërisht për kancerin e zorrës së trashë.

Pijet me sheqer përfshijnë pijet e gazuara të zakonshme, pijet energjike, ato sportive, çajet dhe kafet e ëmbëlsuara. Një kënaçe rreth 350 mililitra rezultoi e mjaftueshme për të parë lidhje me rrezikun e diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve të zemrës.

Si mund të dëmtojnë këto ushqime?

Mishrat e përpunuar përmbajnë nitrite që mund të formojnë nitrosamina, substanca që dëmtojnë qelizat e traktit tretës.

Gatimi në temperatura të larta gjeneron komponime të tjera që lidhen me rrezikun e tumoreve.

Pijet me sheqer japin shumë kalori të shpejta pa ngopur, duke lodhur pankreasin dhe rregullimin e insulinës.

Yndyrat e pa shëndetshme rrisin kolesterinën apo nivelin e yndyrës së keqe në gjak (LDL) dhe ulin atë të mirën (HDL), duke favorizuar bllokimin e arterieve.

Çfarë tregon shkenca
Ani pse këto janë të dhëna vëzhguese dhe nuk mund të provojnë drejtpërdrejt shkakun, modelet shfaqen të qarta.

“Kur shohim të dhënat, është vërtet e habitshme sa të qëndrueshme janë, dhe edhe në nivele të ulëta të konsumit shihet rritje e rrezikut për sëmundje”, ka thënë Mingyang Song, profesor i asociuar në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard.

Ekspertët kanë theksuar gjithashtu që dieta duhet parë në kontekstin e stilit të përgjithshëm të jetesës, aktiviteti fizik, stresi dhe kujdesi shëndetësor luajnë gjithashtu rol.

Këshillat ndërkombëtare
OBSH rekomandon që sheqernat e lira të mos kalojnë 10 për qind të kalorive ditore dhe idealisht të jenë më afër 5 për qindëshit. Po ashtu, shumë vende kanë filluar të heqin yndyrat e pashëndetshme nga ushqimet e paketuara.

“Nuk është qëllimi të keni dietë perfekte, por një mënyrë të shëndetshme dhe të arsyeshme ushqyerjeje që lejon edhe kënaqësi”, ka thënë doktori Gunter Kuhnle, profesor i ushqyerjes në Universitetin e Reading në Britani.

Ndryshimet e vogla të qëndrueshme, si zëvendësimi i një pije të gazuar me ujë apo zgjedhja më shpesh e mishrave të freskët në vend të atyre të përpunuar, mund të sjellin përmirësime të dukshme në shëndet.