Sunny Hill Festival

Boronicat, ushqim ideal për foshnjat

Prindërit shpesh pyesin se çfarë ushqimi duhet t’u japin më parë foshnjave. Për vite me radhë, këshillat kanë qenë të paqarta, drithëra, banane, patate të ëmbla apo diçka tjetër. Tani, shkencëtarët sugjerojnë që edhe boronicat mund të jenë në listë.

Boronicat janë të pasura me fibra, vitamina dhe pigmente natyrale që u japin ngjyrën e tyre të kaltër. Te të rriturit njihen për përfitimet që kanë për shëndetin e zemrës dhe trurit. Por deri më tani, askush nuk i kishte testuar seriozisht te foshnjat. Këtë e ka bërë një ekip nga Universiteti i Kolorados Anschutz, ka raportuar Earth.

Studiuesit kryen një provë klinike me 61 foshnja të moshës 5 deri në 12 muaj. Disa prej tyre merrnin çdo ditë pluhur boronicash, ndërsa të tjerët pluhur pa boronica. Prindërit e përzienin me ushqimet e zakonshme, pa pasur nevojë të ndryshonin rutinën.

Në fund të studimit, foshnjat që kishin konsumuar boronica kishin më pak simptoma alergjie, sidomos ato që lidhen me frymëmarrjen, inflamacioni u ul kurse imuniteti u rrit.

“Për prindërit që fillojnë ushqyerjen e foshnjave, është jashtëzakonisht e vështirë të gjejnë këshilla të bazuara në studime për çfarë ushqimesh të prezantojnë”, ka thënë autorja kryesore e studimit, profesoresha Minghua Tang nga CU Anschutz.

Ajo ka shtuar se ky studim është një hap i rëndësishëm që ofron të dhëna konkrete se si një ushqim si boronicat mund të përmirësojë shëndetin e foshnjave.

Si ndihmojnë boronicat

Forca kryesore e boronicave vjen nga antocianinat, pigmentet që u japin ngjyrën e kaltër të errët. Ato mbrojnë mukozën e zorrëve, ulin inflamacionin dhe pengojnë bakteret e dëmshme.

Boronicat ndikojnë edhe tek qelizat e sistemit imunitar duke ulur sinjalet që nxisin alergjitë dhe duke forcuar ato që ndërtojnë tolerancë. Ndryshime janë vërejtur edhe tek mikrobet e zorrëve pasi rritet numri i baktereve te mira, e bie numri  atyre që janë të dëmshme.

Këto ndryshime tregojnë se boronicat e qetësojnë ekuilibrin e zorrëve, duke ulur inflamacionin e panevojshëm dhe duke ndihmuar në parandalimin e zhvillimit të hershëm të alergjive.

Shëndeti afatgjatë

Jo të gjitha përmirësimet ishin të drejtpërdrejta.

Disa foshnja shfaqën më pak simptoma pa ndryshime të dukshme në biomarkera dhe anasjelltas. Kjo, sipas studiuesve, tregon kompleksitetin e lidhjes mes ushqimit, zorrëve dhe sistemit imunitar.

“Ky studim mbështet idenë se boronicat jo vetëm që janë të sigurta për foshnjat, por gjithashtu ofrojnë përfitime të rëndësishme shëndetësore”, ka thënë tutje Tang.

Ajo ka shtuar se vetëm disa kokrra boronicash në ditë mund të bëjnë diferencë për shëndetin afatgjatë. “Ne e shohim fëmijërinë e hershme si dritare kritike e mundësive, dhe çfarë prezantojmë në këtë periudhë mund të ketë efekte të qëndrueshme ndërsa fëmijët rriten”, ka thënë profesoresha.

Çfarë duhet të dinë prindërit?

Sëmundjet alergjike si ekzemat, alergjitë ushqimore dhe astma janë në rritje në mbarë botën. Shkencëtarët besojnë se dieta e hershme luan rol të rëndësishëm në qetësimin ose përkeqësimin e këtyre rreziqeve.

Edhe pse gjidhënia mbetet standardi i artë, kur fillon ushqyerja me ushqime të ngurta rreth muajit të gjashtë, zgjedhja e ushqimeve mund të ketë më shumë rëndësi sesa është menduar më parë.

Studiuesit kanë theksuar se ky ishte vetëm një studim i hershëm dhe tani planifikojnë të testojnë edhe boronica të freskëta, jo vetëm pluhur, si dhe ushqime të tjera të pasura me përbërje të ngjashme.

Për momentin, familjet mund t’i prezantojnë boronicat në mënyrë të sigurt sapo foshnjat të fillojnë ushqimet e ngurta: të bluara për më të vegjlit, ose të shtypura e të ndara në copa të vogla për fëmijët më të rritur, për të shmangur rrezikun e mbytjes.