Banka Kombëtare e Zvicrës mban normën e interesit në zero, tarifat e SHBA-ve godasin ekonominë

Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) ka vendosur të mbajë normën bazë të interesit në nivelin 0%, më e ulëta mes bankave qendrore kryesore, ndërsa paralajmëroi se tarifat e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump kanë zbehur pritjet për ekonominë zvicerane në hyrje të vitit 2026, raporton Reuters.

Ky vendim ishte i pritur nga tregjet dhe nga një sondazh i Reuters, ndërsa u mbështet edhe nga një rritje e lehtë e inflacionit muajt e fundit. Ishte hera e parë pas shtatë mbledhjesh që SNB nuk ndryshoi normat, pasi në mars 2024 kishte filluar uljen e kostos së huamarrjes.

Njoftimi erdhi pasi SHBA-ja vendosi një tarifë prej 39% mbi eksportet zvicerane drejt tregut amerikan në gusht.

Sipas Reuters, franga zvicerane u dobësua lehtë ndaj euros (0.9345 franga për euro), ndërsa dollari u rrit me 0.13% në 0.796 franga.

Perspektiva ekonomike e goditur nga tarifat

SNB nënvizoi se tarifat kanë goditur sidomos kompanitë e sektorit të makinerive dhe të orëndreqësisë, ndërsa ndikimi në sektorë të tjerë, veçanërisht në shërbime, ka qenë më i kufizuar. Megjithatë, në tërësi, outlook-u ekonomik është përkeqësuar.

“Tarifat e SHBA-ve përbëjnë një sfidë të madhe dhe ka gjasa të ngadalësojnë aktivitetin ekonomik,” tha kryetari Martin Schlegel, cituar nga Reuters.

Banka tashmë parashikon rritje ekonomike nën 1% për vitin 2026, nga 1% deri në 1.5% sa ishte parashikimi i mëparshëm, duke shtuar se pritet edhe rritje e papunësisë.

Qeveria zvicerane po përpiqet të negociojë uljen e tarifës me Uashingtonin, duke përfshirë plane për blerjen e më shumë pajisjeve ushtarake dhe gazi natyror të lëngshëm nga SHBA-ja.

Analistët theksojnë gjithashtu stabilitetin relativ të frangës ndaj euros si arsye për të mos ndryshuar normën e interesit.

“Rreziku kryesor për ekonominë dhe inflacionin vjen nga politika tregtare e SHBA-së dhe ndikimi i saj në rritjen globale, ndaj së cilës Zvicra si ekonomi e vogël dhe e hapur është jashtëzakonisht e ndjeshme,” u shpreh GianLuigi Mandruzzato, ekonomist në EFG Bank, cituar nga Reuters.

Sipas tij, ndikimi i tarifave duket “i menaxhueshëm” dhe shumë analistë parashikojnë se SNB do të mbajë normën bazë në zero, duke pritur një rritje graduale të presioneve inflacioniste. /Reuters/