Shqiponja e tronditi Serbinë

Rey Manaj ka shënuar supergol, ka festuar me shqiponjë dhe ka bërë që të festojnë gjithë shqiptarët nëpër botë.

Me golin e Manajt, Shqipëria ka shënuar njërën prej fitoreve më të mëdha në histori. E ka mposhtur Serbinë në Leskovc me rezultatin 1:0, për hapin e madh drejt plejofit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Ndeshja është luajtur në stadiumin e vogël të Leskovcit. Por festa shqiptare ishte e madhe.

Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, pas një goditje dënimi, topi erdhi tek Arlind Ajeti. Ai e huqi topin, por në një mënyrë asistoi për Manajn. Manaj goditi bukur dhe dërgoi topin në rrjetë. Vrapoi drejt bankës së rezervistëve të Shqipërisë, ndërsa festoi duke formuar figurën e shqiponjës dykrenare. Në festë iu bashkuan të gjithë lojtarët e trajnerët.

Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë, por edhe e gjithë ndeshja.

Shqipëria tani i ka 11 pikë në vendin e dytë të Grupit K të kualifikimeve për Botërorin 2026. Serbia mbetet në vendin e tretë me shtatë pikë, ndonëse ka një ndeshje më pak të luajtur. Fitorja në Leskovc do të thotë që Shqipëria është shumë afër vendit të dytë në grup, që siguron plejofin.

Ndeshja në Leskovc ishte vlerësuar finale për vendin e dytë. Presioni ishte i madh, por ai është menaxhuar më mirë nga kuqezinjtë. 

Në pjesën e parë në fushë kanë dominuar vendësit. Golin megjithatë e shënoi Shqipëria.

Ndërkohë në pjesën e dytë për kohë të gjatë kanë dominuar lojtarët e Shqipërisë. Në minutat e fundit serbët i kishin disa raste, por pa konkretizuar. Dhe festa e zjarrtë ishte e gjitha për shqiptarët.

Ka pasur thirrje “Kosova, Serbia” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. Kur u shënua goli dhe kur u shfaq shqiponja Manaj, ka pasur thirrje edhe “mbyte, mbyte shqiptarin”.

Fyerjet janë dëgjuar shpesh, por vetëm sa kanë motivuar lojtarët e përzgjedhur nga Sylvinho. Ata do të hyjnë në histori si autorë të njërës prej fitoreve më të dashura për gjithë shqiptarët.