Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniq, ka bërë të ditur se procesi i votimit deri në orën 15:00 po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa serioze, raporton Ekonomia Online. Sipas të dhënave të pranuara nga 94% e vendvotimeve, deri në këtë orë kanë votuar 510 mijë e 525 qytetarë, që përbën 25.21% të votuesve me të drejtë vote.
Radoniqi theksoi se KQZ është në komunikim të vazhdueshëm me komisionet komunale dhe institucionet përkatëse, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe rregullave zgjedhore. Ai shtoi se çdo paqartësi apo problematikë po trajtohet menjëherë.
“Bazuar në informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit deri në këtë kohë po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa. Deri më tani, nuk janë evidentuar parregullësi që do të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve. KQZ mbetet në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore nëpër komuna dhe institucione të ndryshme, me qëllim që të garantohet zbatimi i plotë i ligjit dhe rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit. Në të gjitha ato rastet kur ka paqartësi ose problematika të ndryshme, KQZ është duke i trajtuar në kohën më të shpejtë të mundur dhe duke i dhënë zgjidhje. Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 94% e Vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 510 mijë e 525 votues apo 25.21% nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues. Deri në të njëjtën kohë, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, kishin votuar 499 mijë e 828 votues apo 26.95% e votuesve, nga 1 milionë 885 mijë e 448 votues. Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi i gjeni në platformën e KQZ-së, të cilës mund t’i referoheni”, ka theksuar Radoniq.