Istrefi: Po konsolidojmë sistemin prokurorial me reforma, investime dhe transparencë të shtuar

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, ka mbajtur fjalim në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ku ka paraqitur arritjet, sfidat dhe planet e institucionit për forcimin e sistemit prokurorial të vendit.

Në prani të U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Kryesuesit të KPK-së, Hajdaraj, përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile, Istrefi tha se administrata e sistemit prokurorial është e përkushtuar që t’i ofrojë mbështetje të plotë prokurorëve në ushtrimin e mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor.

“Ky takim është mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin tonë dhe për të riafirmuar përkushtimin për reforma të domosdoshme në sistemin e drejtësisë. Qëllimi ynë mbetet forcimi i sundimit të ligjit dhe efikasiteti institucional”, theksoi ai.

Istrefi bëri të ditur se gjatë viteve 2024 dhe 2025, Sekretariati i KPK-së ka ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e infrastrukturës, modernizimin e shërbimeve, digjitalizimin e arkivave, si dhe për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Ai përmendi përfundimin e renovimeve të disa objekteve të sistemit prokurorial, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për punë, ndërsa njoftoi se shumë shpejt do të fillojë edhe renovimi i objektit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu, ai konfirmoi se është arritur marrëveshje me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për ndërrimin e pronës ku do të ndërtohen objektet e reja për Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë e Apelit.

Një ndër arritjet kryesore, sipas Istrefit, është edhe funksionalizimi i portali të ri zyrtar të sistemit prokurorial, që synon rritjen e qasjes publike në informata dhe transparencës institucionale.

Ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2024 janë kthyer 3332 përgjigje ndaj kërkesave të mediave, ndërsa deri në tetor 2025 janë dhënë 2740 përgjigje për informata të përgjithshme, duke dëshmuar përkushtim të lartë ndaj transparencës.

Në aspektin e burimeve njerëzore, drejtori Istrefi tha se gjatë dy viteve të fundit janë punësuar 163 zyrtarë të rinj, ndërsa 48 trajnime profesionale janë zhvilluar për ngritjen e kapaciteteve të stafit administrativ.

Në fund të fjalimit, ai theksoi se përkundër sfidave buxhetore dhe mungesës së mirëkuptimit nga ekzekutivi për kërkesat financiare, Sekretariati i KPK-së mbetet i vendosur të vazhdojë me reforma, duke e forcuar sistemin prokurorial si një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës.

“Administrata e sistemit prokurorial do të vazhdojë të mbështesë prokurorët e shtetit në realizimin e detyrave të tyre me profesionalizëm dhe integritet,” përfundoi Istrefi.