Numërimi i votave të garës së balotazhit për Mitrovicën e Jugut, të mbajtur më 9 nëntor, është ndalur përkohësisht, me urdhër të Prokurorisë Themelore atje.
Sipas Prokurorisë, ndërprerja e procesit, në mbrëmjen e 10 nëntorit, ndodhi pas raportimeve për parregullsi.
“Për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletëvotime”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Çfarë tha KQZ-ja?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës, në një sqarim publik, tha se bëhet fjalë për një gabim teknik nga kompania sllovene që ka shtypur fletëvotimet.
KQZ-ja pohoi se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve për Mitrovicën e Jugut dhe Gjakovën u gabua në shtypjen e kodit të vendvotimit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, duke shtuar se fletëvotimet nuk mund të falsifikohen, e as të kopjohen.
Numërimi nuk do të rinisë, derisa organet e rendit të kenë një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet.
Më vonë gjatë ditës së martë, KQZ-ja bëri të ditur se e ka pranuar një sqarim zyrtar nga kompania përgjegjëse, CETIS, lidhur me disa gabime të evidentuara në disa fletëvotime në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
KQZ-së i është thënë se kompania ka zhvilluar hetim të plotë dhe që përgjatë procesit është kuptuar që “problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”.
“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e kompanisë.
KQZ-ja ka thënë se e ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit për këtë përgjigje.
Ankesa e PDK-së
Dyshimet për manipulim me vota u ngritën nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila, sipas rezultateve të para, e humbi garën për kryetar në Mitrovicë të Jugut me kandidatin e saj, Arian Tahiri, përballë Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, përmes një postimi në Facebook, tha se PDK-ja do të ankohet për këtë rast në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se me dyshimet e ngritura, PDK-ja po mundohet të shfajësohet për dështimin e saj.
“Kur pikërisht PDK-ja tash bërtet ‘kapeni hajnin’, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë”, shkroi Murati i LVV-së në Facebook.
Rezultati i balotazhit në Mitrovicë të Jugut e nxori fitues Pecin me 53.47% të votave, kurse Tahiri mori 46.53% të votave, me një diferencë prej 2 mijë e 315 votash.
Para se të shfaqeshin dyshimet në lidhje me votat në balotazhin për Mitrovicën e Jugut, kandidati i PDK-së kishte pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe i kishte uruar fitoren kundërkandidatit të tij nga LVV-ja.