Granit Xhaka ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin e njohur zviceran, “Blick”. Kapiteni i Zvicrës ka folur për tema të shumta – suksesin me Sunderlandin, synimet me Zvicrën, zhvillimet e brendshme te përfaqësuesja helvetike. Është pyetur edhe për vendimin e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit që të luajnë për Kosovën e jo për Zvicrën. Ai ka lënë të kuptohet se Avdullahu e Hajdari nuk ishin afër që të siguronin vend startuesi te përfaqësuesja helvetike.
“Lojtarët me cilësi të tilla përfundimisht nuk janë diçka prej të cilës dëshiron të heqësh dorë. Nga perspektiva e tyre ka të bëjë me të qenit në gjendje të vlerësimit të statusit të tyre. A do t’ia dilnin të siguronin një vend startuesi te Zvicra brenda tri apo katër vjetësh? Kam dyshime për këtë, duke konsideruar se kush nuk po luan ende për ne, por është dukshëm më përpara në karrierë. Ardon Jashari është me ne për tri vjet dhe ka bërë vetëm katër paraqitje”, ka thënë Xhaka.
Ai ka theksuar se Leon Avdullahu ende nuk është në nivelin e Ardon Jasharit, lojtarit të Milanit.
“A është Leoni më përpara se Ardoni? Nuk mendoj kështu. Por ai është një lojtar i mirë, përndryshe nuk do të luante çdo ndeshje për Hoffenheimin. Ndoshta i mungonte pak durimi në lidhje me Zvicrën. Por në fund të fundit është vendimi i tyre të luajnë për Kosovën, që tani po paraqitet në nivel shumë të lartë”, ka theksuar Granit Xhaka.
Zvicra udhëheq në grup, ndërsa i ka tri pikë më shumë se Kosova. Në ndeshjen e kaluar mes dy përfaqësueseve, Zvicra fitoi 4:0. Nëse Zvicra nuk fiton me Suedinë të shtunën dhe Kosova e mposht Slloveninë, ndeshja e së martës në Prishtinë mes Kosovës dhe Zvicrës do të ishte finale për vendin e parë në grup dhe biletën për Botëror.
Xhaka është i gatshëm për një ndeshje të tillë, por synon biletën e Botërorit që të shtunën ndaj Suedisë.
“Nëse e kryejmë punën tonë me Suedinë, nuk do të vijë tek ajo. Dhe nëse përfundojmë me finale në Prishtinë, atëherë le të jetë kështu. Ne do ta pranojmë situatën. Nuk do të jetë hera e parë që garojmë atje”, ka thënë kapiteni i Zvicrës.
Partneri i Xhakës në mesfushë, Remo Freuler, mungon në dy ndeshjet e ardhshme. Xhaka ka folur për rëndësinë e tij, ndërsa ka thënë se është kurioz për të parë se kë do ta caktojë selektori Murat Yakin në vend të Freulerit.
Xhaka ka folur edhe për suksesin e Sunderlandit, ndërsa ka lavdëruar tifozët e skuadrës. E mori shembull ndeshjen në udhëtim ndaj Chelseat.
“Në udhëtim kundër Chelseat dëgjoheshin vetëm ata. Ata janë tifozë të vërtetë, jo turistë. Nuk janë në qytet rastësisht, Sunderlandi është jeta e tyre. Pavarësisht nëse janë 80 apo 5, ata e dinë pse janë në stadium. Ata na kanë përkrahur me intensistet të jashtëzakonshëm që nga ndeshja e parë”.
Xhaka te Sunderlandi është lider i pakontestueshëm, njëjtë si te Zvicra.
“Arrita në skuadër si emër i madh. Pritjet ishin të mëdha. Ishte sfida më e madhe në karrierën time, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time. Secili moment këtu ia ka vlejtur”, ka thënë 33-vjeçari.
Xhaka ka theksuar se që nga momenti i parë e ka ditur se ka bërë zgjedhjen e duhur.
“Kur e ndien këtë komoditet, ju jepni tre apo katër për qind më shumë. Për fanellën, për lojtarët e tjerë, për klubin”, ka thënë Xhaka.
Ai është krenar për krahasimet që po i bëhen, ndërsa është i përkushtuar të paraqitet në Botërorin 2026 me Zvicrën.
“Unë, Freuleri dhe Rodriguezi jemi në moshë që ndoshta mund ta luajmë Botërorin e fundit. Nëse do të jemi në gjendje fizike që të garojmë në vitin 2030, është pikëpyetje e madhe. Për këtë arsye e dua patjetër biletën për Botërorin 2026”, ka thënë Xhaka.