Në tregjet e vendit, çmimi i vezëve ka pësuar rritje të ndjeshme, duke arritur në 5 euro për një komplet me 30 copë. Ky çmim po konsiderohet i papërballueshëm për shumë qytetarë, sidomos në një kohë kur veza është një nga produktet bazike në tryezën e çdo familjeje.
Qytetarët shprehen të pakënaqur me këtë rritje të çmimeve, duke theksuar se edhe ushqimet më të zakonshme po shndërrohen në luks.
“Veza ka qenë ushqim i përditshëm për çdo familje, tani duhet të mendojmë dy herë para se ta blejmë,” thotë një qytetare nga Prishtina.
Një tjetër shton se “pagat nuk po rriten, por çdo ditë rriten çmimet – kështu nuk mbahet jeta.”
Rritja e çmimit të vezëve po i atribuohet shtrenjtimit të ushqimit për pulat dhe kostove të transportit, por qytetarët kërkojnë nga institucionet që të ndërhyjnë për të parandaluar spekulimet dhe për të mbrojtur konsumatorin.
“Veza është ushqim bazik, jo luks. Shteti duhet të kujdeset që çmimet e tilla të mos godasin qytetarët me të ardhura të ulëta,” shtojnë disa prej tyre.