A keni pasur kohët e fundit probleme me qasjen në faqet tuaja të preferuara? Nuk jeni të vetmit.
Gjiganti i internetit Cloudflare dje pësoi një rënie të sistemit që përkohësisht rrëzoi një sërë shërbimesh të njohura – nga Spotify deri te ChatGPT-ja, e madje edhe rrjetin social Truth Social të presidentit amerikan, Donald Trumpit.
Ky është vetëm i fundit në vargun e ndërprerjeve të mëdha të internetit, pasi një problem me Amazon Web Services muajin e kaluar prishi jetën e përditshme të miliona njerëzve dhe vetëm disa ditë më vonë ra edhe Microsoft Azure, shkruan cnn.
Sipas ekspertëve, ngjarje të tilla janë rezultat i një kombinimi të varësisë gjithnjë e më të madhe të shoqërisë nga shërbimet digjitale, konsolidimit të infrastrukturës kyçe në duart e vetëm disa kompanive dhe prirjes së njerëzve për t’u ankuar për problemet teknologjike online. Kjo gjithashtu tregon se askush, madje as kompanitë më të mëdha teknologjike, nuk është imun ndaj defekteve teknike.
“Është pothuajse e parëndësishme sa mirë është i pozicionuar ofruesi i shërbimit në këto raste, apo edhe sa e sofistikuar është organizata dhe infrastruktura e TI-së për bizneset private”, tha Eileen Haggerty, zëvendëspresidente në kompaninë e IT-së dhe sigurisë kibernetike Netscout. Ndërprerjet teknologjike si këto janë “shumë, shumë probleme të zakonshme”.
Çfarë e shkaktoi rënien e Cloudflare?
Nga Cloudflare për CNN deklaruan se ndërprerja ishte rezultat i një problemi teknik, e jo i një sulmi kibernetik.
Kompania shpjegoi se problemi ishte shkaktuar nga një “skedar konfigurimi” i destinuar për të menaxhuar “trafikun e kërcënimeve”.
“Skedari u rrit përtej madhësisë së pritur të të dhënave dhe shkaktoi një rënie në sistemin e softuerit që përpunon trafikun për një numër shërbimesh të Cloudflare-it”, thuhet në njoftim.
Dane Knecht, drejtor i teknologjisë në Cloudflare, ndau më shumë detaje në rrjetin social X. Me pak fjalë, një ndryshim rutinë i konfigurimit aktivizoi një gabim, i cili “në mënyrë zinxhir shkaktoi degradim të gjerë të rrjetit tonë dhe të shërbimeve të tjera”.
“Puna është tashmë duke u zhvilluar për të siguruar që të mos ndodhë më, por e di që sot ka shkaktuar vërtet telashe”, shkroi ai.
Ngjashëm, edhe ndërprerja e fundit në Amazon u shkaktua nga një gabim që ndodhi kur dy sisteme të automatizuara tentuan të përditësojnë njëkohësisht të njëjtat të dhëna.
A janë ndërprerjet e internetit vërtet më të shpeshta?
Fakti që tre ndërprerje të mëdha ndodhën brenda më pak se një muaji është rastësi. Megjithatë, Haggerty pranon se padyshim duket sikur po ndodhin më shpesh, kryesisht për shkak të përmasës së ndikimit të tyre.
Numri i ndërprerjeve “ka mbetur i qëndrueshëm”, por “numri i faqeve dhe aplikacioneve që varen nga këto shërbime është rritur, duke i bërë ato më shqetësuese për përdoruesit”, shpjegoi Angelique Medina, drejtuese e inteligjencës së internetit në Cisco ThousandEyes.
Shërbimi i Cisco-s për monitorimin e rrjetit ka regjistruar deri tani 12 ndërprerje të mëdha në vitin 2025, pa llogaritur këtë të Cloudflare-it. Për krahasim, në vitin 2024 ka patur 23, në vitin 2023 – 13, dhe në vitin 2022 – 10. Kujtojmë se ndërprerja e madhe e CrowdStrike në vitin 2024 prishi bizneset, trafikun ajror dhe spitalet anembanë botës.
Ndikimi është kaq i madh sepse pjesa më e madhe e internetit mbështetet te disa ofrues kryesorë shërbimesh, si Amazon, Microsoft dhe Google, të cilët përbëjnë shtyllën kurrizore të uebit. Problemet e raportuara në Downdetector, faqja që ndjek ndërprerjet, të martën kaluan 2.1 milionë, sipas të dhënave që kompania mëmë Ookla ia dha CNN-it. Vetë Cloudflare përpunon mesatarisht 81 milionë kërkesa HTTP në sekondë.
Ndërprerjet në IT janë relativisht të zakonshme, thonë ekspertët.
Njëzet vjet më parë ishte e zakonshme që shërbimet e TI-së të mos funksiononin “vazhdimisht”, tha Mike Chapple, profesor në Universitetin Notre Dame. “Nuk do të ishte e pazakontë të kaloje një javë në punë me të paktën një ndërprerje të ndonjë shërbimi të TI-së”, tha ai, duke vënë në dukje se sot të gjithë varen nga të njëjtit ofrues të mëdhenj.
Sipas Cisco-s, ndër ndërprerjet në gjysmën e parë të vitit 2025 vërehen disa prirje të përbashkëta: dështime zinxhirore, sisteme që dukeshin të rregullta pavarësisht problemeve të fshehura dhe ndryshime të gabuara konfigurimi. Edhe pse këto prirje nuk janë të reja, Cisco thotë se “po shohin më shumë ndërprerje të këtij lloji me pasoja më të gjera”. Dhe ka gjasa që të përsëriten.
“Këto nuk janë gjëra për të cilat do të thoshit: ‘Epo, faleminderit Zotit që kjo s’do të na ndodhte kurrë neve’,” përfundoi Haggerty. “E gjitha kjo në të vërtetë mund t’i ndodhë çdo biznesi”. /Telegrafi/