Google lanson versionin e ri të modelit të saj AI, Gemini 3

Google ka lansuar versionin më të ri të modelit të saj të inteligjencës artificiale Gemini, duke theksuar se aftësitë e reja do të jenë menjëherë në dispozicion në disa produkte që gjenerojnë përfitime përfshirë motorin e kërkimit të Googlet, raporton agjencia “Reuters”. 

Gemini 3, që vjen 11 muaj pas gjeneratës së dytë të këtij modeli, është lansuar të martën, në një konferencë për media. 

Shefi ekzekutiv Sundar Pichai e përshkroi atë si “modeli ynë më inteligjent”, në një postim në blogun e kompanisë. 

Pichai tha se është hera e parë që Google ka inkorporuar një model të ri në motorin e kërkimit që nga dita e parë. Në të kaluarën, versionet e reja të Geminit u desh javë apo muaj për t’u përfshirë në produktet më të përdorura të Googlet. 

Përdoruesit që paguajnë pakon Premium AI të Googlet do të kenë qasje në aftësitë e Gemini 3 në Modalitetin AI, një veçori në kërkim që heq dorë nga çmimet standarde në uebfaqe në favor të përgjigjeve të gjeneruara nga kompjuteri për pyetje të komplikuara. 

Përmirësimet në Gemini 3 në fusha të tilla si kodimi apo arsyetimi mundësuan që Google të ndërtonte një sërë karakteristikash të reja, si për konsumatorët ashtu edhe për klientët e ndërmarrjeve. 

Kompania prezantoi “Gemini Agent”, një veçori që mund të kryejë detyra me shumë hapa, të tilla si organizim i “inboxit” të një përdoruesi apo edhe rezervimi i aranzhimeve të udhëtimit. 

Google po ashtu ka ridizajnuar aplikacionin Gemini për të kthyer përgjigje që kujtojnë një faqe të plotë interneti, një goditje e mëtejshme për botuesit e përmbajtjes që mbështeten në trafikun e internetit për të gjeneruara të ardhura. 

Josh Woodward, zëvendëspresident përgjegjës për aplikacionin, u demonstroi gazetarëve se si Gemini tani mund t’i përgjigjet një pyetjeje si “krijo një galeri Van Gogh me kontekst jetësor për secilën pjesë”, duke gjeneruar një ndërfaqe sipas kërkesës me elementë vizualë dhe interaktivë. 
Për klientët e biznesit, Google prezantoi një produkt të ri të quajtur Antigravity, një platformë e re zhvillimi softuerësh ku agjentët e AI-së mund të planifikojnë dhe ekzekutojnë detyra kodimi vetë.