Të mërkurën në vendin tonë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët me mundësi për riga të dobëta dhe lokale shiu.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale pritet të luhaten ndërmjet -1°C deri 7°C, ndërsa maksimalet ditore do të arrijnë vlera prej 8°C deri 11°C.
Siç bën të ditur IHMK, ditët pasuese do të karakterizohen nga fusha termike më të ulëta, tipike dimërore.
Bëhet e ditur se nga e enjtja deri të shtunën, parashihet depërtimi i një mase të ftohtë ajrore me origjinë veriore, e cila do të stabilizojë një regjim termik dukshëm më të ulët dhe do të gjenerojë kushte për mot të vranët dhe me reshje.
“Në zonat malore priten reshje të vazhdueshme bore, ndërsa në ultësira reshjet fillimisht do të paraqiten në formë të rigave të dobëta shiu, të cilat me rënien progresive të temperaturave do të transitojnë gradualisht në reshje bore”.
“Si rrjedhojë, edhe në disa zona të ultësirave priten intervale të shkurtëra me reshje bore, kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes së së enjtes dhe të premtes, varësisht intensitetit të masës së ftohtë dhe profilit termik të shtresës së ulët të atmospheres”, njofton ky institut.