Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, ambasada fajëson Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bllokim të certifikimit, duke i quajtur veprimet e LVV-së përçarëse.
“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë dritëshkurtra dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës”, thuhet në postim.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Më 2 vota pro, dy kundër dhe 7 abstenime, KQZ ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ndërsa, KQZ ka certifikuar 22 subjekte të tjera për zgjedhjet e 28 dhjetorit.