Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Milot Cakaj, zhvilloi një takim me përfaqësues të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (CEB), Thomas Adams, menaxher i vendit për Gjermani dhe Kosovë, dhe Denis Weerts, menaxher i lartë për rrezikun e kredive. Takimi u fokusua në zhvillimet e fundit në sektorin financiar të vendit, me theks të veçantë në segmentin e mikrofinancave dhe institucioneve financiare jo-bankare, si dhe në agjendën e reformave dhe përfshirjes financiare.
Në hapje të takimit, guvernatori Ismaili prezantoi gjendjen aktuale të sektorit financiar, duke theksuar rolin e institucioneve mikrofinanciare dhe atyre jo-bankare në zgjerimin e qasjes në financa për mikro-ndërmarrjet dhe individët që nuk kanë qasje të lehtë në shërbimet tradicionale bankare. Ai nënvizoi se sektori karakterizohet nga një model unik biznesi, nivel i ulët i kredive me probleme dhe stabilitet i qëndrueshëm i riskut.
Ismaili informoi delegacionin e CEB-it edhe për përforcimin e kornizës rregullatore dhe mbikëqyrëse, përfshirë kërkesat e reja për licencim dhe kapital, praktikat e avancuara të mbikëqyrjes dhe masat e ndërmarra për parandalimin e pastrimit të parave. Ai theksoi se BQK ka modernizuar strukturën e saj të brendshme për të siguruar një mbikëqyrje më efektive, të harmonizuar me standardet ndërkombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua procesit të digjitalizimit, ku guvernatori prezantoi iniciativat e BQK-së për modernizimin e sistemit të pagesave, përgatitjet për integrimin në SEPA, zhvillimin e platformës TIPS Clone për pagesa instant dhe zgjerimin e aktiviteteve të edukimit financiar. Këto reforma synojnë rritjen e efikasitetit, lehtësimin e aksesit në financa dhe forcimin e infrastrukturës financiare në afat të gjatë.
Përfaqësuesit e CEB-it, Adams dhe Weerts, vlerësuan progresin e BQK-së në forcimin e mbikëqyrjes, avancimin e digjitalizimit dhe përpjekjet për të rritur përfshirjen financiare, duke rikonfirmuar mbështetjen e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm dhe financat gjithëpërfshirëse në Kosovë.
Guvernatori Ismaili i falënderoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve që mbështesin modernizimin e sektorit financiar dhe reformat institucionale. Ai ritheksoi gatishmërinë e BQK-së për të thelluar bashkëpunimin me CEB-në në projekte dhe iniciativa të reja, të përputhura me prioritetet strategjike të bankës qendrore.
Takimi përfundoi me angazhimin e përbashkët të të dy institucioneve për të çuar përpara përfshirjen financiare, përmirësimin e praktikave rregullatore dhe avancimin e reformave që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.