Deputeti i AAK-së: Kemi rreth 50 mijë vota, AAK siguron përfaqësim në Kuvend

Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj spekulimeve që po qarkullojnë në opinion se kjo parti politike mund të mos e kalojë pragun zgjedhor.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka deklaruar se AAK tashmë ka siguruar rreth 50 mijë vota brenda Kosovës, duke theksuar se ky rezultat është i mjaftueshëm për të garantuar përfaqësim në Kuvendin e ardhshëm.

Sipas tij, edhe në rast se AAK nuk do të marrë asnjë votë nga diaspora apo nga votat me kusht, rezultati aktual nuk do të ndryshojë statusin e partisë në procesin zgjedhor.

“Aleanca qysh tash i ka rreth 50 mijë vota vetëm në Kosovë dhe, edhe nëse nuk merr asnjë votë nga diaspora ose nga votat me kusht, do të jetë pjesë e Kuvendit të ardhshëm me grupin e vet parlamentar”, ka shkruar Tahiri.

Deklarata e tij vjen në kohën kur po vazhdojnë diskutimet publike dhe analizat rreth rezultateve zgjedhore dhe përfaqësimit të partive politike në Kuvend.