Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.
Sipas KQZ-së, aktualisht po numërohen fletëvotimet e ardhura nga 29 përfaqësi diplomatike, ku procesi i votimit është zhvilluar në gjithsej 40 vendvotime. Gjatë ditës së shtunë janë në numërim 10 vendvotimet e fundit.
Votimi jashtë vendit u mbajt më 27 dhjetor 2025 në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme. Nga 19,187 shtetas të regjistruar për këtë formë votimi, kanë votuar 16,165 persona, apo 84.24 për qind. Të gjitha këto fletëvotime janë aktualisht në proces numërimi në QNR.
KQZ ka bërë të ditur se pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve nga përfaqësitë diplomatike, pasditen e së shtunës do të vazhdojë edhe numërimi i votave të ardhura përmes postës, të cilat tashmë janë sjellë në Kosovë.
Ditë më parë, nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr mbi 28 mijë e 500 pako me fletëvotime të votimit me postë. Këto pako janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.
Nga mbi 28 mijë pako të pranuara, pas procesit të vlerësimit janë aprovuar 27,600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar më shumë se 950. Sipas KQZ-së, arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit brenda pakos së fletëvotimit. Në procesin e numërimit do të përfshihen gjithsej 27,600 zarfe të aprovuara.
Sa i përket votimit me postë, KQZ ka bërë të ditur se numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë, ndërsa pas përfundimit të tërheqjes së fletëvotimeve nga të gjitha kutitë postare do të dihet saktë se sa prej tyre e kanë ushtruar të drejtën e votës.