Devijimi i vullnetit të qytetarëve gjatë procesit të numërimit të votave për deputetë përbën vepër të rëndë penale dhe sanksionohet qartë me ligj në Republikën e Kosovës.
Sipas Nenit 216 të Kodit Penal – Falsifikimi i rezultateve të votimit, çdo person që shton, heq apo fsheh vota, ndryshon rezultatet zgjedhore, regjistron në mënyrë të pasaktë votën apo publikon rezultate që nuk pasqyrojnë vullnetin real të qytetarëve, dënohet me burgim prej një deri në tre vjet.

Mirëpo, ligji është edhe më i ashpër kur këto veprime kryhen nga komisionerë të numërimit të votave apo persona me përgjegjësi zyrtare në procesin zgjedhor. Në këto raste, kur devijimi i votave bëhet përmes keqpërdorimit të detyrës, pozitës apo autorizimeve zyrtare, dënimi parashihet nga tre deri në pesë vjet burg.
Këto dispozita ligjore janë veçanërisht të rëndësishme në kontekstin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, ku janë ngritur dyshime dhe shqetësime publike për parregullsi të mundshme gjatë numërimit të votave për deputetë.
Institucionet e drejtësisë obligohen që çdo dyshim për manipulim apo falsifikim të votave ta trajtojnë me seriozitet të plotë, pasi cenimi i vullnetit të qytetarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë dhe rendit kushtetues.
Ligji është i qartë: askush nuk është mbi vullnetin e qytetarëve, e çdo komisioner apo zyrtar zgjedhor që devijon rezultatin e votës përballet me përgjegjësi të rëndë penale.