Qytetarët e Prishtinës po përballen me rritje të ndjeshme të shpenzimeve për ujë, madje edhe para se të hyjë zyrtarisht në fuqi shtrenjtimi i paralajmëruar nga KRU “Prishtina”.
Një rast konkret nga Lagjja “Mati” në Prishtinë tregon se, ndonëse numri i anëtarëve të familjes ka mbetur i njëjtë, fatura e ujit për muajin dhjetor 2025 ka qenë 10.81 euro, ndërsa ajo për muajin janar 2026 ka arritur në 27.76 euro. Kjo paraqet një rritje prej 16.95 euro, apo e shprehur në përqindje, rreth 157% më shumë krahasuar me muajin paraprak.
Kjo rritje e papritur vjen në një kohë kur KRU “Prishtina” ka njoftuar se nga 1 janari 2026 çmimi i ujit për konsumatorët e amvisërisë është rritur për 40%, duke e shtuar edhe më tej barrën financiare për qytetarët, shkruan Gazeta Stop.
Situata bëhet edhe më shqetësuese në Lagjen “Mati 1”, ku sipas banorëve uji nuk është i pijshëm, për shkak të turbullimit të Liqenit të Badovcit pas reshjeve të shiut. Pavarësisht kësaj, faturat vazhdojnë të vijnë me çmime të larta, ndërsa qytetarët detyrohen të blejnë ujë për pije ose të përdorin alternativa të tjera.
Banorët kërkojnë transparencë nga KRU “Prishtina”, sqarime të detajuara për rritjen e faturave, si dhe cilësi të garantuar të ujit, në përputhje me çmimin që po paguajnë.
Shtrenjtimi i shërbimeve bazë pa përmirësim të cilësisë po rrit pakënaqësinë qytetare dhe po ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e resurseve publike.