Xhavit Haliti

Përmbyllet rinumrimi i votave në 25 komuna

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve, sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim, në kuadër të verifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

KQZ ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se procesi i rinumërimit tashmë ka përfunduar në 25 komuna të vendit, ndërsa puna po vazhdon në komunat e mbetura, raporton Gazeta Stop.

Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i këtij procesi, i cili ka nisur të martën, më 13 janar 2026, në orën 18:00, e deri të hënën, më 26 janar 2026, në orën 16:00, janë rinumëruar 1,804 vendvotime nga gjithsej 2,557, që përbën mbi 70 për qind të vendvotimeve të përfshira në vendimin për rinumërim.

Ky proces është ndërmarrë pas ankesave dhe dyshimeve për parregullsi gjatë numërimit fillestar të votave, me qëllim të garantimit të transparencës, saktësisë dhe pasqyrimit të drejtë të vullnetit të qytetarëve.

Nga KQZ është theksuar se rinumërimi po zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe nën monitorimin e vëzhguesve të akredituar, ndërsa çdo ndryshim eventual në rezultatet zgjedhore do të reflektohet në rezultatet përfundimtare.

KQZ ka bërë të ditur se pas përmbylljes së plotë të rinumërimit në të gjitha vendvotimet e përfshira, do të publikohet raporti përfundimtar me të dhënat e përditësuara.