Xhavit Haliti

Për të mbrojtur trurin duhet të përmirësohet shëndeti i zorrëve

Shëndeti i zorrëve nuk ka të bëjë vetëm me tretjen e ushqimit. Sipas gastroenterologut të njohur amerikan, doktorit Partha Nandi, mikrobioma e zorrëve luan rol të rëndësishëm në shëndetin e trurit dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrezikun për sëmundje si Alzheimeri, Parkinsoni apo pasojat e sulmit në tru.

“Nëse nuk ushqejmë bakteret e mira të zorrëve me ushqimin e duhur, ato zhduken. Ushqimi ynë është ushqimi i tyre”, ka shpjeguar Nandi për The Times.

Doktori Partha Nandi

Ai ka theksuar se bakteret e mira ushqehen me fibra nga frutat, perimet, bishtajoret, arrat dhe drithërat e plota, ndërsa ushqimet shumë të përpunuara, sheqeri dhe ushqimi i shpejtë favorizojnë bakteret e dëmshme.

Këto baktere të dëmshme nxisin inflamacionin në trup. Me kalimin e kohës, inflamacioni dëmton murin mbrojtës të zorrëve dhe molekulat inflamatore kalojnë në gjak.

“Kur inflamacioni bëhet kronik, ai mund të përhapet dhe të dobësojë barrierën gjak-tru”, ka thënë Nandi. Kjo, sipas tij, përshpejton rënien e aftësive njohëse dhe dëmtimet e trurit.

Shkenca tashmë ka vërtetuar se ekziston komunikim i vazhdueshëm mes zorrëve dhe trurit përmes të ashtuquajturit bosht zorrë-tru, sidomos përmes nervit vagus.

“Zorrët kanë rrjet të madh neuronesh dhe mikrobet e zorrëve mund të dërgojnë sinjale që ndikojnë drejtpërdrejt në tru”, ka shpjeguar ai.

Madje, një pjesë e madhe e serotoninës, hormon i rëndësishëm për humorin dhe gjumin, prodhohet pikërisht në zorrë.

Studime të shumta tregojnë se njerëzit me Alzheimer apo Parkinson kanë mikrobioma të ndryshme, me më shumë shenja inflamacioni.

Një studim i King’s College London në vitin 2022 ka zbuluar se “mikrobioma e pacientëve me Alzheimer ishte dukshëm ndryshe dhe më inflamatore” krahasuar me ata pa sëmundjen.

Lajmi i mirë, sipas Nandit, është se ndryshimet në stilin e jetesës mund të ndihmojnë, edhe te personat që tashmë jetojnë me këto sëmundje.

“Nëse përmirëson shëndetin e zorrëve, jo vetëm që ul rrezikun për sëmundje, por përmirëson edhe shëndetin aktual”, ka thënë ai.

Ushqimi është shtylla kryesore

“Arma më e fuqishme që kemi për shëndetin e zorrëve është piruni”, ka theksuar Nandi.

Ai paralajmëron kundër dietave shumë të pasura me proteina shtazore dhe të varfra në fibra. “Mund të dukesh në formë perfekte, por zorrët e tua mund të jenë të shkatërruara”, ka thënë ai.

Doktori rekomandon:
-Ushqime probiotike: kos, kefir, djathëra të fermentuar
-Ushqime prebiotike: qepë, hudhra, banane, tërshërë, thjerrëza, fasule
-Dietën mesdhetare, të pasur me perime, vaj ulliri, peshk, bishtajore dhe arra

Ndërkohë, këshillon të shmangen:
-Ushqimet e përpunuara
-Sheqeri i tepërt
-Alkooli
-Yndyrat industriale

Nandi ka folur edhe për problemin e ashtuquajtur “zorrë e rrjedhshme”, që shkencërisht quhet rritje e përshkueshmërisë së zorrëve.

Simptomat mund të jenë fryrje, kapsllëk, diarre, lodhje, mjegull mendore, dhimbje koke dhe probleme me lëkurën.

“Muri i zorrëve është vetëm një shtresë e trashë qelizash, kaq të ndjeshëm jemi”, ka paralajmëruar ai.

Përveç ushqimit, lëvizja fizike, gjumi dhe menaxhimi i stresit janë po aq të rëndësishme.

“Të gjithë kërkojnë ‘trukun’ magjik për shëndetin. Por truku i vërtetë është: të keni zorrë të shëndetshme”, ka thënë Nandi.

Sipas doktorit, kujdesi për zorrët nuk është trend, por investim afatgjatë për trurin, trupin dhe cilësinë e jetës.