Xhavit Haliti

Bllokada e Kuvendit mund të kthehet sërish

Nëse në periudhën e ardhshme nuk arrihet një marrëveshje politike për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, bllokada institucionale mund të rikthehet gjatë përpjekjeve për të formuar institucionet e reja.

Kështu vlerëson për Radion Evropa e Lirë Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se tani bëhet fjalë për një çështje politike, e jo ligjore.

Mundësinë e një bllokade të re institucionale nuk e përjashton as Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, pasi përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tij, “e interpretojnë ndryshe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që ata shumë lehtë të kapen pas ndonjë fjale, pjese të tekstit ose ndonjë dispozite të vendimit dhe ta interpretojnë me qëllim gabimisht, ashtu siç kanë bërë gjatë 56 seancave të konstituimit të Kuvendit, vitin e kaluar”, thotë Bugaqku

Më 28 janar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar serb i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, e bërë përmes shortit, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Gjykata theksoi se e drejta për të propozuar kandidatin i takon partisë që ka fituar shumicën e vendeve të rezervuara për komunitetin serb – në këtë rast, Listës Serbe, e cila i kishte nëntë nga dhjetë mandatet.

Kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – fitoi sërish nëntë mandate në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, ndërsa një mandat e fitoi Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.