Xhavit Haliti

Faton Peci reagon pas intervistimit nga Prokuroria Speciale

Kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas intervistimit të tij në Prokurorinë Speciale.

Peci ka njoftuar se është paraqitur në Prokurori për të dhënë sqarimet dhe përgjigjet e tij lidhur me kallëzimin penal të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes ish-deputetit Paris Guri. Ai ka theksuar se gjatë intervistimit ka qenë transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë.

Sipas tij, sqarimet kanë të bëjnë me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur gjatë kohës sa ka ushtruar funksionin e ministrit të Bujqësisë, veçanërisht në procesin e ndarjes së granteve nga kjo ministri, shkruan Gazeta Stop.

Peci ka paralajmëruar se së shpejti do t’u drejtohet organeve të drejtësisë me një kallëzim penal për, siç ka thënë ai, kallëzim të rremë penal, duke akuzuar ish-deputetin Paris Guri për orkestrimin e një fushate shpifjesh dhe insinuatash të pabazuara ndaj tij.

Ai ka theksuar se akuzat, sipas tij të pabaza, shpifjet dhe sulmet personale nuk do ta ndalin nga angazhimi i tij publik dhe institucional.

“Nuk më ndalin nga punët e mira dhe punët e mëdha për Kosovën”, ka shkruar Peci në reagimin e tij, duke përfunduar me mesazhin: “Vazhdojmë!”, ka shkruar Peci.