Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin lidhur me afatin për zgjedhjen e Presidentit të vendit, duke theksuar se 4 marsi është data e fundit për përmbylljen e këtij procesi.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se skena politike duhet të marrë një vendim të shpejtë dhe të qartë, pasi çdo vonesë e mëtejshme rrezikon të thellojë pasigurinë institucionale.
Sipas tij, për kandidim për President nevojiten të paktën dy kandidatë që sigurojnë nga 30 nënshkrime të deputetëve. Në të kundërtën, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.
“Kosova nuk mund të mbetet peng i krizave dhe interesave të ngushta politike. Çdo pasiguri politike po i kushton ekonomisë, integrimeve evropiane, bizneseve dhe investimeve në vendin tonë”, tha Shahini.
AKB apelon që institucionet të marrin vendim menjëherë, në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe të shmangë bllokadën politike.
“Kosova ka nevojë për stabilitet dhe përgjegjësi politike – jo për zvarritje”, theksoi Shahini.