Konjufca me humor për kandidimin për president: “Vetëvendosja tokë të bon”

I propozuari për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka reaguar me humor ndaj pyetjeve të gazetarëve lidhur me ndryshimin e qëndrimit të tij për kandidimin në këtë pozitë.

Pak ditë më parë, Konjufca kishte mohuar se do të jetë kandidat për president, por sot para mediave ai u përgjigj me shaka duke thënë: “Po Vetëvendosja tokë të bon”.

Ai sqaroi se kandidatura e tij erdhi si propozim nga partia. “Ishte propozim i Vetëvendosjes dhe tash duhet të ecim përpara”, tha Konjufca.

Ai shtoi se tani është e rëndësishme që edhe partitë opozitare të paraqesin propozimet e tyre për këtë post.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të përcaktohen se kë do ta mbështesin për president nëse nuk e votojnë atë. “Nëse nuk e votojnë Glauk Konjufcën, kë do ta votojnë? Për besë nëse e propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë e votoj. Askush nuk po propozon, as PDK e as LDK”, u shpreh ai.

Konjufca theksoi se është kureshtar të dijë se cili do të ishte kandidati i opozitës nëse nuk është ai.

“Jam i bindur se nuk do të mund ta propozojnë një person neutral”, tha Konjufca, duke shtuar se edhe Vetëvendosje do ta mbështesë një kandidat të përbashkët në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja.