Abdixhiku: Zgjedhjet e reja do ta bënin Kosovën qesharake para botës

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në rrethanat aktuale politike askush nuk i dëshiron zgjedhjet e reja, duke e cilësuar si të papërshtatshme mundësinë që vendi të shkojë sërish në proces zgjedhor.

Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku tha se ideja për mbajtjen e zgjedhjeve të tjera është “tragjikomike”, duke shtuar se një situatë e tillë do ta dëmtonte imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, edhe në diskutimet me kryeministrin Albin Kurti është shprehur pajtueshmëri se një rikthim i vendit në zgjedhje do ta bënte Kosovën të dukej qesharake para botës.

“Askush s’i ka qejf zgjedhjet në këtë moment. U pajtuam që do të dukeshim shumë qesharak para botës po të shkonim edhe një herë në zgjedhje, hera e tretë”, u shpreh Abdixhiku.

Ai kritikoi gjithashtu kulturën politike në vend, duke thënë se krijimi i vazhdueshëm i krizave dhe dramave politike po e mban vendin në një cikël të pafund zgjedhjesh.

“Është tragjikomik fakti që krijojmë drama dhe vazhdimisht prodhojmë zgjedhje”, deklaroi kreu i LDK-së.