Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Klinë, ku i vrarë dyshohet të jetë Faruk Isufi, i cili sipas informacioneve fillestare dyshohet se humbi jetën pas një konflikti me vëllanë e tij.

Lajmi për vdekjen e tij ka ngjallur reagime të shumta, ndërsa për rastin ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Haradinaj e ka cilësuar të hidhur lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit të tij, duke theksuar kontributin e Isufit gjatë luftës dhe në procesin e shtetndërtimit.
“I hidhur lajmi për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit Faruk Isufi nga Klina. Edhe më i rëndë fakti se pas gjithë sakrificës për liri dhe angazhimit të tij në shtetndërtim, u nda nga jeta në rrethana të trishta.
Faruku ishte aktivist i hershëm i Aleancës, i përkushtuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën rastin ta njohin nga afër.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëluftëtarëve dhe kolegëve në Aleancë. Faruku u prehtë në paqe”, ka shkruar Haradinaj.
Rastin janë duke e hetuar organet kompetente, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje lidhur me rrethanat e ngjarjes.