AKB: Kërkesat për heqjen e TVSH-së dhe akcizës janë populizëm i rrezikshëm

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të disa individëve dhe politikanëve që kanë kërkuar publikisht heqjen e TVSH-së dhe akcizës për derivatet e naftës, duke i cilësuar këto kërkesa si joserioze dhe të rrezikshme për opinionin publik. Sipas AKB-së, deklaratat e tilla tregojnë mungesë elementare të njohurive mbi funksionimin e shtetit dhe sistemit fiskal në vend.

Në reagimin e saj, AKB thekson se TVSH-ja dhe akciza janë të rregulluara me ligj dhe çdo ndryshim mund të bëhet vetëm përmes procedurave ligjore dhe miratimit në Kuvendi i Kosovës, e jo përmes deklaratave spontane apo thirrjeve populiste. Sipas këtij organizimi, qëndrime të tilla krijojnë konfuzion te bizneset dhe qytetarët, ndërsa dëmtojnë seriozitetin e përfaqësimit të interesave ekonomike në vend.

AKB vlerëson se ekonomia nuk mund të ndërtohet mbi deklarata emocionale apo improvizime publike, duke shtuar se politikat fiskale kërkojnë analizë profesionale, kompetencë dhe përgjegjësi institucionale. Organizata u ka bërë thirrje akterëve publikë të tregojnë maturi dhe profesionalizëm, duke theksuar se pa institucione funksionale dhe vendimmarrje ligjore, kërkesat mund të duken tërheqëse në publik, por mbeten të parealizueshme në praktikë.