Kriza globale e energjisë dhe derivateve po hyn në një fazë të re, duke kaluar nga një periudhë e zakonshme e rritjes së çmimeve në një rrezik real për mungesë furnizimi. Kështu vlerëson kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, i cili paralajmëron për pasoja të drejtpërdrejta edhe për Kosovën.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, veçanërisht tensionet që përfshijnë Iranin, kanë rikthyer në vëmendje stabilitetin e rrugëve kryesore të furnizimit me energji.
“Kriza globale e derivateve dhe energjisë po hyn në një fazë të re. Nuk bëhet më fjalë vetëm për rritje çmimesh, por për një kërcënim real të mungesës së furnizimit”, deklaroi Shahini.
Ai thekson se një nga pikat më kritike mbetet Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë.
“Çdo destabilizim në këtë korridor nuk është më çështje rajonale, por goditje direkte për ekonominë globale”, u shpreh ai.
Sipas Shahinit, ekonomitë më të mëdha industriale si India, Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina tashmë përballen me rreziqe serioze për mungesë të derivateve dhe rritje të pakontrolluar të kostove të energjisë.
“Varësia e këtyre vendeve nga importet i bën jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj çdo ndërprerjeje në zinxhirin e furnizimit”, theksoi ai.
Efektet, sipas tij, tashmë janë të dukshme edhe në Evropë, ku vende si Gjermania, Italia dhe Franca po përballen me një valë të re inflacioni.
“Rritja e çmimeve të energjisë dhe transportit po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e inflacionit dhe në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik”, tha Shahini.
Duke folur për Kosovën, ai paralajmëroi se vendi mbetet ndër më të ekspozuarit ndaj kësaj krize.
“Kosova është ndër vendet më të brishta në këtë situatë. Varësia pothuajse totale nga importi i derivateve dhe mungesa e rezervave strategjike e bëjnë ekonominë tonë shumë të ndjeshme ndaj çdo krize globale”, deklaroi ai.
Ai shtoi se çdo zhvillim ndërkombëtar reflektohet menjëherë në tregun vendor.
“Çdo krizë globale përkthehet menjëherë në rritje çmimesh, ulje të fuqisë blerëse dhe vështirësi për bizneset në Kosovë”, u shpreh Shahini.
Kryetari i AKB-së kërkon reagim urgjent nga institucionet, duke theksuar se nuk ka më hapësirë për vonesa.
“Nuk duhet ta shohim këtë si një sfidë të përkohshme, por si një alarm serioz për sigurinë ekonomike të vendit”, tha ai.
Ai renditi edhe prioritetet kryesore që duhet të ndërmerren:
“Rritja e menjëhershme e rezervave shtetërore të naftës është domosdoshmëri strategjike. Po ashtu, duhet një strategji e mirëfilltë kombëtare për sigurinë energjetike dhe masa konkrete për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga goditjet e çmimeve”, deklaroi Shahini.
Në fund, ai paralajmëroi për pasojat e mungesës së veprimit në kohë.
“Nëse nuk veprohet tani, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të thellë krizash ekonomike. Mungesa e veprimit sot është kriza e sigurt e së nesërmes”, përfundoi Agim Shahini.